28 nëntor 2021

Në 26 nëntor të vitit 2021, me këshillim nga Grupi këshillëdhënës teknik i OBSH-së për Evolucionin e Viruseve Technical Advisory Group on Virus Evolution (TAG-VE) OBSH llojin B.1.1.529, të njohur si Omikron, e ka vlerësuar si një lloj shqetësues. Ky vendim u bazua në provat e paraqitura nga TAG-VE sipas të cilave Omikron ka disa mutacione që mund të ndikojnë në mënyrën se si sillet, për shembull, sa lehtë përhapet ose në pasqyrën klinike të sëmundjes që shkakton. Në vazhdim keni një përmbledhje të të dhënave të deritanishme.

Të dhëna aktuale për Omikron

Studiuesit në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën po kryejnë studime për të kuptuar më mirë shumë aspekte të Omikron dhe do të vazhdojnë t’i ndajnë zbulimet e këtyre studimeve pasi ato të jenë në dispozicion.

Përhapja (transmetimi): Ende nuk është e qartë nëse Omikron është më i infektiv (p.sh., nëse transmetohet më lehtë nga një person tek një person tjetër) sesa llojet e tjera, përfshirë këtu edhe llojin Delta. Numri i personave pozitivë në zonat e Afrikës së Jugut të prekur nga ky lloj është rritur, por po bëhen studime epidemiologjike për të kuptuar nëse kjo është për shkak të Omikron apo faktorëve të tjerë.

Pasqyra e sëmundjes: Nuk është ende e qartë nëse infeksioni me Omikron shkakton sëmundje me pasqyrë më të rëndë klinike sesa infeksionet me llojet e tjera, përfshirë këtu edhe llojin Delta. Të dhënat paraprake tregojnë për një rritje të numrit të hospitalizimeve në Afrikën e Jugut, por kjo mund të jetë për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të personave të infektuar, dhe jo si rezultat i infektimit me Omikron. Për momentin nuk ka asnjë informacion që sugjeron se simptomat e Omikron janë ndryshe nga ato të llojeve të tjera. Infeksionet e para u evidentuan tek studentët – individë më të rinj tek të cilët zhvillohet një formë më e lehtë e sëmundjes – por analizimi i ashpërsisë së llojit Omikron do të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë. Të gjitha llojet e Kovid-19, duke përfshirë këtu edhe llojin Delta në mbarë botën, mund të shkaktojnë sëmundje serioze ose vdekje, sidomos tek grupet më vullnerable të popullatës, dhe për këtë arsye parandalimi gjithmonë mbetet qenësor.

Efikasiteti i infeksionit paraprak me SARS-CoV-2

Dëshmitë paraprake sugjerojnë se rreziku nga reinfektimi me Omikron mund të jetë më i madh (d.m.th., njerëzit që kanë qenë të infketuar me Kovid-19 përsëri mund të infektohen shumë lehtë edhe me llojin Omikron) sesa me llojet e tjera shqetësuese, por gjithsesi informacioni në lidhje me këtë është mjaft i kufizuar. Më shumë informacion në lidhje me këtë do ketë në ditët dhe javët në vijim.

Ефikasiteti i vaksinave: OBSH po punon me partnerë teknikë për të kuptuar ndikimin e mundshëm të këtij lloji ndaj masave preventive ekzistuese, duke përfshirë këtu edhe vaksinat. Vaksinat vazhdojnë të jenë qenësore sa  i përket zvogëlimit të formave të rënda të sëmundjes dhe vdekshmërisë, duke përfshirë këtu edhe llojin dominant që po qarkullon për momentin, atë Delta. Vaksinat aktuale janë efikase kundër zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjes.

Efikasiteti i testeve aktuale: Testet PCR që po përdoren gjerësisht vazhdojnë të zbulojnë infeksionin, duke përfshirë edhe infeksionin me Omikron. Po bëhen studime për të parë nëse ka ndonjë efekt në llojet e tjera të testeve, duke përfshirë këtu edhe testet e shpejta për zbulimin e antigjeneve.

Еfikasiteti i trajtimeve aktuale: Kortikosteroidet dhe bllokuesit e receptorit IL6 vazhdojnë të jenë efektivë në trajtimin e pacientëve me forma të rënda të Kovid-19. Do bëhet vlerësimi i trajtimeve të tjera për të parë nëse ato ende janë po aq efikase për llojin Omikron.

Studimet aktuale

OBSH aktualisht po bashkëpunon me një numër të madh të hulumtuesve në mbarë botën për ta kuptuar më mirë llojin Omikron. Studimet që po zhvillohen për momentin, ose që do të bëhen në të ardhmen e afërt përfshijnë vlerësimin e transmetueshmërisë, ashpërsinë e infeksionit (përfshirë simptomat), përbërjen e vaksinës dhe testet për diagnostikim, si dhe efikasitetin e trajtimeve.

OBSH inkurajon vendet të kontribuojnë në mbledhjen dhe ndarjen e të dhënave për pacientët e hospitalizuar dhe këtë ta bëjnë përmes Platformës së OBSH-së për të dhënat klinike për Kovid-19 WHO COVID-19 Clinical Data Platform për një përshkrim të shpejtë të veçorive klinike dhe rezultateve të pacientëve.

Më shumë informacion do ketë në ditët dhe javët në vijim. OBSH do të vazhdojë të monitorojë dhe vlerësojë të dhënat dhe, pasi të jenë në dispozicion, do të vlerësojë se si ndikojnë mutacionet në sjelljen e virusit të llojit Omikron.

Aktivitete të rekomanduara për vendet

Meqë Omikron është vlerësuar si një lloj shqetësues, OBSH u rekomandon vendeve të ndërmarrin disa veprime të caktuara, përfshirë këtu përforcimin e mbikëqyrjes dhe studimin e rasteve; evidentimin e sekuencimit të gjenomit në bazat e të dhënave me qasje të lirë, si GISAID; raportimin e rasteve ose klasterëve fillestarë pranë OBSH-së; kryerjen e analizave (anketimeve) në terren dhe analizave laboratorike për të kuptuar më mirë nëse Omikron ka veti të ndryshme sa  i përket transmetimit ose pasqyrës së sëmundjes, ose nëse ndikon në efikasitetin e vaksinave, terapive, diagnostikimit ose masave të shëndetit publik dhe masat sociale.

Vendet duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë masat efikase të shëndetit publik për ta zvogëluar qarkullimin e Kovid-19, duke përdorur analizë të rrezikut dhe një qasje shkencore. Ata duhet të përforcojnë kapacitetet mjekësore dhe shëndetësore publike që të mund të përballen me rritjen e numrit të rasteve të reja. OBSH vendeve u mundëson mbështetje dhe udhëzime si për gatishmëri ashtu edhe për reagim.

Përveç kësaj, është e një rëndësie qenësore që të adresohen pabarazitë në aksesin ndaj vaksinave kundër Kovid-19 për të siguruar që grupet vullnerable, punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit të pranojnë dy dozat e para të vaksinës, si dhe të mundësohet një qasje e barabartë në trajtim dhe diagnostikim.

Aktivitete të rekomanduara për njerëzit

Hapat më efektivë që individët mund t’i ndërmarrin për ta zvogëluar përhapjen e virusit KOVID-19 është ruajtja e një distance fizike prej të paktën 1 metër nga të tjerët; mbajtja e maskës; ajrosja e mjediseve të mbyllura; shmangia e mjediseve pa ventilim të mirë ose të mbushura me njerëz; mirëmbajtja e pastërtisë së duarve; përdorimi i shamisë gjatë kollitjes ose teshtitjes; vaksinimi.

 

Burimi: https://www.who.int/news/item/28-11-2021-update-on-omicron