Ç’është melanoma?

Melanoma është kanceri më serioz dhe më malinj i lëkurës. Përmes limfës dhe gjakut përhapet shumë shpejt në pjesët e tjera të trupit e pastaj trajtimi i tij është shumë më i vështirë, ndërsa pasojat mund të jenë fatale. Mund të shfaqet edhe në pjesë të tjera të trupit.

Melanoma buron nga melanocitet, qelizat të cilat e krijojnë melaninën, pigmentin i cili i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve. Në lëkurë melanocitet janë të vendosura mes qelizave bazale, në membranën bazale nga ku prodhojnë melaninën. Në të shumtën e rasteve melanomat kanë ngjyrë kafe ose të zezë, por ndonjëherë mund të jenë edhe me ngjyrë të njëjtë si lëkura, të kuqe, ngjyrë vjollcë, të kaltra ose të bardha.

melanom 1

Në të shumtën e rasteve melanomat krijohen nga nishanet ekzistuese, dhe rrallë herë nga lëkura. Rreziku për shfaqjen e melanomës ekziston edhe tek të ashtuquajturët nishane të zakonshme të cilët preken shpesh, gjegjësisht janë në vende ku shpesh mund të fërkohen (rripa të sutjenave, butona, rrip, gjatë rruajtjes, etj.) Dallojmë katër nëntipa të melanomës: melanomë me përhapje sipërfaqësore, me përhapje nodulare,  lentigo malinje dhe lentiginoze akrale.

Melanoma mund të shfaqet në të gjitha pjesët e trupit, si tek pjesët që vazhdimisht janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit, ashtu edhe te pjesët e mbrojtura nga rrobat. Te meshkujt melanoma në të shumtën e rasteve shfaqet në gjithë trupin, ndërsa tek femrat më shpesh shfaqet në kurriz dhe te këmbët. Nëntipi i malinjitetit mund të ndikojë në mënyrën se ku do zhvillohet melanoma; lentigo melanoma më shpesh shfaqet në fytyrë, ndërsa melanoma lengitinoze akrale më shpesh shfaqet tek pëllëmbët e duarve, shputat ose tek thonjtë.

melanom 2

Përhapja e melanomës

Numri i të sëmurëve nga melanoma po shënon një rritje të vazhdueshme dhe kohëve të fundit melanoma është një nga tumoret me përhapje më të madhe. Numri i të sëmurëve për çdo vit shënon një rritje prej 4-5%, që do të thotë se numri i të sëmurëve çdo 10-15 vjet dyfishohet.

Në Evropë në vit sëmurën 14 në 100 000 njerëz. Gjatë pesë viteve të fundit melanoma ka zënë vendin në listën e sëmundjeve malinje më të shpeshta. Në Evropë, femrat sëmuren nga melanoma më shumë se meshkujt, ndërsa në SHBA ky raport është i barabartë. Studime të shumta tregojnë se femrat e prekura nga melanoma kanë shkallë më të lartë mbijetese se meshkujt. Arsye për këtë mund të jetë fakti që femrat i kushtojnë një kujdes më të madhe pamjes së tyre, i vënë re më herët ndryshimet e lëkurës e kështu më herët drejtohet tek mjeku. Nga kjo mund të përfundojmë se faktor qenësor për një rezultat pozitiv është zbulimi i hershëm i melanomës. Melanoma në të shumtën e  rasteve  shfaqet rreth moshës 50 vjeçare, përveç melanomës lentigo malinje që kryesisht shfaqet rreth moshës 70 vjeçare, zakonisht në lëkurë e cila është ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj diellit (duar, fytyrë). Gjatë viteve të fundit melanoma gjithnjë e më shumë po shfaqet tek popullata e re në moshë nga 25 deri më 44 vjet, e shumë rrallë edhe tek adoleshentët.

Melanoma kryesisht shfaqet tek popullata që i përket rasës së bardhë, ndërsa tek popullata e rasës së verdhë dhe të zezë është shumë e rrallë. Më së shumti është e përhapur në Australi dhe në vendet ku rrezatimi diellor është mjaft intensiv.

Të sëmurët nga melanoma , krahasuar me personat e tjerë, janë më të rrezikuar nga shfaqja e një melanome tjetër primare. Tek personat të cilët paraprakisht kanë vuajtur nga ndonjë tumor tjetër malinj të lëkurës ekziston mundësi më e madhe që të zhvillohet melanomë.

Në Republikën e Maqedonisë në vitin 2014 nga melanoma kanë vdekur 59 persona, ose 2,9  të vdekur 100 000 banorë, nga të cilët 32 janë meshkuj, ndërsa 27 janë femra. Shkalla e mortalitetit tek meshkujt është 3.1 në 100 000 meshkuj, ndërsa tek femrat 2,6 në 100 000 femra.

Rrezatimi i diellit

Edhe pse ekzistojnë faktorë të shumtë të rrezikut, kanceri në lëkurë zakonisht shkaktohet nga rrezet UV të diellit. Ekspozimi i tepërt ndaj këtyre rrezeve është shkaktari më i shpeshtë i të gjitha formave të kancerit të lëkurës.

Dy lloje kryesore të rrezeve UV ndaj të cilave ekspozohemi depërtojnë në thellësi të ndryshme të lëkurës. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit do fillojë të dëmtojë ADN-në dhe indin e lëkurës. Në rastet më të mira, këto rreze mund të shkaktojnë rrudhosje ose plakje të hershme të lëkurës. Në rastin më të keq, ato shkaktojnë dëmtim të përhershëm të lëkurës, që ka si rezultat paraqitjen e kancerit në lëkurë.

Ekspozimi i kufizuar ndaj rrezeve të diellit është i mirë për të gjithë ne. Rrezet e diellit stimulojnë prodhimin e vitaminës D3, që është mjaft e rëndësishme për një shëndet të mirë, rritje dhe zhvillim të drejtë dhe kocka të forta. Megjithatë, e gjitha që na mjafton është vetëm një dozë e vogël diell për çdo ditë.

Përderisa, nga njëra anë, dielli na bën të ndjehemi mirë, nga ana tjetër dëmet që dielli i shkakton në lëkurë dhe në trup, i tejkalon efektet pozitive afatshkurtra, siç është disponimi i mirë.

Dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga dielli janë të përhershme. Nëse djegiet mund të shërohen, ndryshimet më të thella mbesin përgjithmonë. Çdo ekspozim i radhës dëmton edhe më shumë sistemin imunitar lokal të dëmtuar dhe materialin gjenetik të lëkurës.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të rrezeve UV të diellit. Rrezet më të rrezikshme UV-C absorbohen tërësisht nga ana e mbështjellësit të ozonit. Dy llojet e tjerë, UV-A dhe UV-B, kanë efekte të ndryshme tek trupi i njeriut.

 

Indeksi UV

Indeksi UV është njësi matëse shkencore e ndërkombëtare për nivelin e rrezatimit UV nga dielli. Përdoret për të përshkruar fuqinë e diellit në një vend dhe kohë të caktuar. Indeksi shtrihet nga 1-11. Sa më i lartë të jetë Indeksi UV, aq më i lartë është rreziku nga dëmtimi i lëkurës.

uv index al

 

Cilat janë shkaqet (faktorët e rrezikut) për shfaqjen e melanomës?

Faktorë rreziku për shfaqjen e melanomës:
  •  – ekspozimi i tepërt (i pakontrolluar) ndaj rrezeve të diellit, gjegjësisht ndaj rrezeve ultraviolet (profesion ose hobi)
  • -   pigmentimi i lëkurës (personat me lëkurë më të bardhë)
  • -   personat në moshë mbi 50 vjet
  • -   personat që kanë më shumë se 50 nishane
  • -   persona me familjarë të prekur nga melanoma
  • -   persona që kanë qenë të sëmurë nga melanoma
  • -   djegiet e lëkurës nga rrezet e diellit
  • -   rrezatimi intensiv për një kohë shumë të shkurtër (gjatë pushimeve verore), ose gjatë fundjavës
  • -   frekuentimi i solariumit
  • -   trajtimi me rrezatim
  • -   imuniteti i dobësuar nga kimioterapia, pas transplantimit të organeve, ose nga HIV/SIDA.

Si ta dallojmë rrezikun dhe për cilat shenja duhet pasur kujdes?

 Rreziku nga paraqitja e kancerit të lëkurës shpesh herë lidhet me gjenet tona. Të gjithë individët të cilët dinë për raste të personave të prekur nga kanceri i lëkurës brenda familjes së tyre dhe kanë tip të lëkurës e cila mban në vete një rrezik më të madh për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, duhet të marrin masa për parandalim dhe një herë në vit të vizitojnë dermatologun. Melanoma, shpesh, nuk mund të vihet re në shikim të parë sepse është e vështirë të bëhet dallimi nga nishanet e zakonshme ose tumoret e tjerë beninje.

Për diagnostikimin e hershëm të melanomës përdoret rregulli А-B-C-D-E. Ndryshimi është i dyshimtë nëse është asimetrik (А),  nuk ka kufij të qartë (B) , ka ndryshuar ngjyrë (C), dhe nëse diametri është më i madh se 6 mm. (D). Evolucioni (Е), siç është ndryshimi i ngjyrës, madhësisë, formës, sipërfaqes, përshkallëzimit dhe simptomave si kruarja ose gjakosja janë shenjat kryesore për malinjitet. Gjithashtu, shfaqja e ndryshimeve të reja në lëkurë të pastër e të shëndetshme tek personat më të vjetër se 40 vjet konsiderohen si ndryshime të dyshimta dhe në ato raste duhet të vizitohet dermatologu.

mel alb 1

 

Vetkontrollimi i nishaneve

 

Bëni një vetëkontroll të shpejtë me ndihmën e pasqyrës:

mladezi 1Kontrollojeni fytyrën dhe veshët me ndihmën e pasqyrës. Përdorni tharësen e flokëve për ta kontrolluar lëkurën e  kokës.
mladezi 2Kontrollojini pëllëmbët e duarve, duart dhe thonjtë. Me ndihmën e pasqyrës kontrollojini bërrylat, nënsqetullat dhe pjesën e sipërme të krahut.
mladezi 3Kontrollojeni qafën, pjesën e barkut dhe gjoksin (gratë duhet ta kontrollojnë me shumë kujdes pjesën nën gji)
mladezi 4Me ndihmën e një pasqyroje të vogël në një pasqyrë më të madhe kontrollojeni pjesën e pasme të qafës, supet, kurrizin, të pasmet, pjesën e pasme të shalëve, krahëve dhe veshëve.
mladezi 5Në pozitën si në vizatim, me ndihmën e pasqyrës kontrollojeni pjesën e brendshme të shalëve, këmbëve, pjesën e poshtme dhe të sipërme të shputave, thonjtë dhe pjesën rreth organeve gjenitale.

*Metoda rekomandohet nga Fondacioni për luftë kundër kancerit të lëkurës (The Skin Cancer Foundation).

 

Këshilla të dobishme që ndihmojnë në parandalimin e efektit të dëmshëm të rrezeve të diellit 

Përdorimi i mjeteve mbrojtëse nuk i përfshin masat themelore të mbrojtjes të cilat duhen ndërmarrë gjatë ekspozimit ndaj rrezeve të diellit:

sonce 1Ekspozimi i tepruar ndaj diellit është i rrezikshëm. Qëndroni nën hije. Evitoni ekspozimin ndaj diellit në periudhën kur rrezet e tij janë më të forta.
 sonce 2Foshnjat dhe fëmijët e vegjël nuk duhen ekspozuar direkt ndaj rrezeve të diellit.
 sonce 3Mbroni veten, foshnjat dhe fëmijët e vegjël me kapele, syze dielli dhe bluzë.
sonce 4Zgjidhni faktor mbrojtës që i përshtatet fenotipit të lëkurës Tuaj, ndërsa sipas llojit të lëkurës që keni zgjidhni bazën më të mirë mbrojtëse (kremë, xhel, lëng, spraj). Lyeni mirë lëkurën së paku gjysmë ore para se të dilni në diell dhe rilyeni atë pas çdo larjeje, djersitjeje apo fshirjeje me peshqir.

 

REKOMANDIME NGA INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK PËR MBROJTJE TË LËKURËS NË KUSHTE TË EKSPOZIMIT TË TEPËRT NDAJ DIELLIT, GJEGJËSISHT NDAJ RREZEVE ULTRAVIOLET

 

  1. Nuk rekomandohet ekspozimi ndaj rrezeve të diellit për të fituar ngjyrë të lëkurës (banjo dielli). Por, nëse gjithsesi keni vendosur të bëni banjo dielli, këtë duhet ta bëni gradualisht (ditën e parë vetëm një orë, ditën e dytë dy orë, etj.).
  2. Aktivitetet në natyrë ose në mjedise të hapura nuk duhen realizuar në periudhën e ditës kur rrezet e diellit janë më të forta. Të evitohet ekspozimi ndaj rrezeve të diellit nga ora 10-17. Në këtë periudhë të ditës strehohuni nën hije (përdorni ombrellë, nën hijen e pemëve, tendës, shtëpisë).Rrobat janë mbrojtja më e mirë nga dielli dhe ato duhet të jenë të bëra nga pëlhura të lehta dhe të jenë me ngjyra të hapura, ndërsa mëngët dhe këmbëzat të jenë sa më të gjata.
  1. Kapela me strehë të gjerë mundëson një mbrojtje të mirë të syve, veshëve, fytyrës, kurrizit dhe qafës. Syzet e diellit që mundësojnë 99-100% mbrojtje nga rrezet UV-a dhe UV B do e zvogëlojnë dukshëm dëmtimin që pësojnë sytë gjatë ekspozimit ndaj diellit.
  2. Të përdoren preparate cilësore për mbrojtje nga dielli me faktor mbrojtës të lartë (SPF) së paku 30, e që janë rezistente ndaj ujit. Preparatet për mbrojtje duhen përdorur edhe në rastet kur kaloni qoftë edhe një kohë shumë të shkurtër në diell.
  3. Të evitohet frekuentimi i solariumeve.
  4. Preparatet për mbrojtje të lëkurës të aplikohen së paku 30 minuta para ekspozimit në diell dhe të riaplikohen sa më shpesh (në çdo dy orë), pas daljes nga uji, pas djersitjes dhe fshirjes së trupit me peshqir.
  5. Preparatet për mbrojtje të lyhen në lëkurë njëtrajtësisht dhe në sasi të mjaftueshme.
  6. Një kujdes i veçantë u duhet kushtuar buzëve, vetullave dhe veshëve.
  7. Nuk duhet harruar se rrezet e diellit reflektohen edhe nga sipërfaqe të ndryshme, dëborë, ujë, rërë, beton dhe barë dhe depërtojnë edhe nëpër re. Preparatet dhe mjetet mbrojtëse duhet të përdoren edhe kur moti është me re.
  8. Personat që bëjnë pjesë në grupin e rrezikuar nga shfaqja e kancerit të lëkurës (personat me flokë të kuq ose të verdhë dhe me lëkurë të bardhë, personat me shumë nishane, personat të cilët paraprakisht janë trajtuar nga kanceri i lëkurës etj.) duhet që pjesët e ekspozuara të lëkurës t’i mbrojnë me mjete dhe preparate mbrojtëse gjatë gjithë vitit.
  9. Prindërit duhet të kenë shumë kujdes për mbrojtje sa më adekuate të fëmijëve të tyre.

PARALAJMËRIM: preparatet mbrojtëse nuk mund të zëvendësojnë mbrojtjen natyrale dhe të mundësojnë zgjatje të kohës të ekspozimit ndaj rrezeve të diellit!

 

 

INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

                                                                        Sektori për promovim, analizë dhe ndjekje të sëmundjeve joinfektive