Dita Botërore Pa Duhan 2023:
Kemi nevojë për ushqim, jo për duhan
Më 31 maj të vitit 2023, Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me OBSH-në e shënon Ditën Botërore Pa Duhan.
Tema e manifestimit të këtij viti është: “Kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”. Fushata Globale për vitin 2023 ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për prodhimin e kulturave alternative dhe mundësitë për të inkurajuar kultivuesit e duhanit që të rrisin kultura të qëndrueshme dhe nutritive që nuk janë të dëmshme për shëndetin. Kjo fushatë gjithashtu ka për qëllim edhe të ekspozojë përpjekjet e industrisë së duhanit për të parandaluar zëvendësimin e kultivimit të duhanit me kultura të qëndrueshme, duke kontribuar kështu në krizën globale për ushqim.
Kriza në rritje për ushqim është nxitur nga konflikte dhe luftëra të ndryshme, ndryshimet klimatike dhe ndikimet ekonomike dhe sociale të pandemisë së Covid-19.
Çdo vit në mbarë botën rreth 3.5 milionë hektarë tokë konvertohet për kultivimin e duhanit. Kultivimi i duhanit kontribuon gjithashtu në shkatërrimin e rreth 200.000 hektarë pyje në vit.
Kultivimi i duhanit kërkon përdorim të gjerë të pesticideve dhe plehrave, të cilët ndikojnë në degradimin e tokës.
Toka e përdorur për rritjen e duhanit ka më pak kapacitet për kultivimin e kulturave të tjera, sepse duhani e varfëron pjellorinë e tokës.
Krahasuar me aktivitetet e tjera bujqësore, si kultivimi i misrit dhe madje edhe kullotja e bagëtisë, kultivimi i duhanit ka një ndikim shumë më shkatërrues për ekosistemet, sepse toka bujqësore e duhanit është më e prirur ndaj shkretimit.
Çdo fitim i bërë nga duhani si para mund të mos e kompensojë dëmin e shkaktuar ndaj prodhimit të qëndrueshëm të ushqimit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Përkundër kësaj, ekziston një nevojë urgjente për të marrë masa ligjore për ta reduktuar kultivimin e duhanit dhe për t’i ndihmuar bujqit të kalojnë në prodhim të kulturave ushqimore alternative.
Industria e duhanit shpesh portretizohet si përkrahëse e ekzistencës së kultivuesve të duhanit. Kjo është larg nga e vërteta. Përdorimi intensiv i insekticideve dhe kimikateve toksike gjatë kultivimit të duhanit kontribuon që shumë bujq dhe familjet e tyre të vuajnë nga shëndeti i dobët. Për më tepër, marrëveshjet e padrejta kontraktuale me kompanitë e duhanit nuk u mundësojnë pagesë të drejtë kultivuesve të duhanit, ndërsa puna e fëmijëve që shpesh angazhohen në kultivimin e duhanit pamundëson realizimin e të drejtës së tyre për arsimim dhe paraqet shkelje e të drejtave të njeriut.
Nëntë nga 10 prodhuesit më të mëdhenj të duhanit janë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa 4 prej tyre definohen si vende me të ardhura të ulëta me deficit të ushqimit.
Sipas të dhënave të OBSH-së, Republika e Maqedonisë së Veriut është në mesin e 50 prodhuesve më të mëdhenj të duhanit në botë, përkatësisht është prodhuesi i 19-të më i madh i duhanit në botë, ndërsa në Evropë jemi prodhuesi i dytë më i madh.
Fushata e Ditës Botërore Pa Duhan 2023 u bën thirrje qeverive dhe politikëbërësve të përforcojnë legjislacionin, të zhvillojnë politika dhe strategji të përshtatshme dhe t’u mundësojnë kultivuesve të duhanit të kalojnë në kultivim të kulturave ushqimore, gjë që do t’u mundësojë atyre dhe familjeve të tyre një jetë më të mirë. Konventa Kornizë e OBSH-së për Kontrollin e Duhanit ofron parime specifike dhe opsione politike për promovimin e alternativave të qëndrueshme ekonomikisht për punëtorët e duhanit, kultivuesit dhe shitësit individualë (të shënuara në nenin 17) dhe për forcimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe shëndetit të njeriut (neni 18). Zbatimi i këtyre dispozitave duhet të përforcohet në këto vende.
Rekomandime për vendet në të cilat kultivohet duhan:
- Kërkoni mbështetje politike përmes programeve për t’i mbështetur bujqit që të kalojnë në kultivimin e kulturave bujqësore
- Nëse nuk kanë mjete financiare, ofroni subvencione për kultivim (fara cilësore, plehra ose pajisje bujqësore) për t’i inkurajuar bujqit që ta bëjnë ndryshimin.
- Shërbime për zgjerim në formën e trajnimeve dhe këshillave teknike për bujqësinë, si dhe mbështetje për bujqit për tu mundësuar qasje në furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimitari bujqësore, e në këtë mënyrë t’i rrisin të ardhurat.
- Programe për lidhshmëri më të mirë mes bujqve dhe blerësve të kulturave të shëndetshme, rezistente, lokale dhe të qëndrueshme për t’u siguruar atyre një treg të qëndrueshëm kur ata të vendosin të largohen nga kultivimi i duhanit.
- Mbështetni zhvillimin e kooperativave bujqësore, që të ndihmoni në krijimin e një mekanizmi të fortë të shkëmbimit të informacionit dhe transferimit të njohurive, si dhe për ta reduktuar rrezikun gjatë kalimit në kulturat jo
- Mbështetni strategjitë e diversifikimit që udhëhiqen nga kërkesa dhe zbatojnë politika të bazuara në dinamikën e tregut.
- Kërkoni llogaridhënie nga industria e duhanit për rreziqet ndaj mjedisit jetësor dhe ato shëndetësore që burojnë nga kultivimi dhe prodhimi i duhanit.
- Punoni me shërbimet shtetërore të shëndetit publik dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal për t’i sensibilizuar bujqit për përfitimet nga kalimi nga kultivimi i duhanit në alternativa të tjera që janë në dispozicion.
Lufta kundër përdorimit të duhanit nuk ndalon, me hulumtimet e shumta të realizuara për vite me radhë mësojmë gjithnjë e më shumë për dëmet që kjo industri në mënyra të ndryshme i shkakton në jetën e popullatës. Ne, si një nga prodhuesit më të mëdhenj të duhanit në botë, duhet të bëjmë përpjekje të veçanta për zvogëlimin e prodhimit dhe zëvendësimin e duhanit me kultura alternative, më të shëndetshme. Vetëm kështu mund ta përmirësojmë shëndetin, si të përdoruesve të duhanit ashtu edhe të qytetarëve të tjerë.
Përgatiti:
Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve