Federata Botërore e kardiologjisë edhe këtë vit nën moton “JEPNI FORCË JETËS TUAJ!” e shënon 29 shtatorin – Ditën Botërore të zemrës.

 

Instituti i shëndetit publik  në bashkëpunim me Komunën Karposh, do e shënojë këtë ditë me një manifestim që do të mbahet të enjten 29 shtator në sheshin Delfina në Vllae nga ora 11 deri në orën 13.

Këtë vit nuk do të ketë kontrolle mjekësore falas, por do të ndahen materiale përmes të cilave do të përcillen mesazhe, rekomandime dhe këshilla se si duhet të kujdesemi për shëndetin, si ti japim energji zemrës, si ta vëmë në lëvizje dhe si ta duam atë.

Si edhe çdo vit ekipet e Institutit të shëndetit publik apelojnë:VIZITA TË RREGULLTA TË MJEKU AMË!

 

Vizitat e rregullta tek mjeku amë dhe zbatimi i rekomandimeve dhe këshillave falas janë mënyra e vetme për zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare dhe parandalimin e pasojave nga ato.

 

Për çdo vit sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktar i 17,3 milionë rasteve të vdekjes së parakohshme, ndërsa deri në vitin 2030 pritet që 23.6 milionë të vdesin nga këto sëmundje. Këto janë shifra të cilat i parashikon Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), me ç’rast pritet që SKV të zënë vendin e parë në mesin e shkaktarëve të vdekjeve në botë.

Në Republikën e Maqedonisë në vitin 2015 nga sëmundjet e sistemit të organeve të qarkullimit të gjakut kanë vdekur 11939 njerëz

Vlerësimet tregojnë se së paku 80% e të gjitha rasteve me sëmundje të zemrës, infarktit dhe diabet tipi 2 mund të parandalohen thjesht duke bërë VIZITA TË RREGULLTA TEK MJEKU AMË!

Shkalla e mortalitetit nga sëmundjet e sistemit të organeve të qarkullimit të gjakut në popullatën e përgjithshme në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2010-2015 vazhdon të shënojë rritje.

Duke u nisur nga fakti që ka mundësi që rreth 80% e sëmundjeve të zemrës të parandalohen, Republika  e Maqedonisë zbaton masa të bazuara në prova e që kanë për qëllim parandalimin e faktorëve të rrezikut, siç është përdorimi i duhanit, ushqimi jo i shëndetshëm, mungesa e aktivitetit fizik dhe përdorimi i alkoolit,  diagnostikimi në kohë i SKV, përmirësimi i trajtimit shëndetësor në nivel sekondar dhe terciar, përforcimi i sistemit shëndetësor me kuadro dhe pajisje, rikonstruimi i kapacitete të vjetra dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja spitalore, si dhe masa të tjera. Qëllimi kryesor është ti përgjigjet ngarkesës gjithnjë e më të madhe të popullatës me SKV dhe zvogëlimi i invaliditetit dhe vdekshmërisë nga këto sëmundje.

Instituti i shëndetit publik dhe 10 Qendrat e shëndetit publik, si dhe shtëpitë e shëndetit punojnë në mënyrë aktive për realizimin e fushatave, ligjëratave edukative në shkolla, institucione shëndetësore, përgatitjen dhe distribuimin e materialeve shëndetësoro-edukative, organizimin e aksioneve për kontrolle preventive falas, para së gjithash në mjedise rurale.

Të gjitha këto kanë për qëllim NGRITJEN E VETËDIJES TEK QYTETARËT QË TË KUJDESEN PËR SHËNDETIN E TYRE!

Një pjesë të parave të cilat Fondi për sigurim shëndetësor i Republikës së Maqedonisë ua ndan mjekëve amë janë të dedikuara për zbatimin e masave dhe aktiviteteve për parandalim.

FAKTORËT E RREZIKUT:

  1. Tensioni i lartë i gjakut është faktori numër një për paraqitjen e SKV. Njihet edhe si vrasësi i heshtur sepse nuk ka sinjale paralajmërimi ose simptoma prandaj një pjesë e madhe e njerëzve nuk e dinë që kanë tension të lartë të gjakut.
  2. Niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të jetë tregues për sëmundjen e sheqerit. Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaktar i 60% të të gjithë rasteve të vdekjes tek personat që kanë vuajtur nga diabeti. Nëse nuk diagnostikohet dhe nuk trajtohet në kohë, diabeti rrit rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe infarkti.
  3. Kolesteroli mendohet të jetë shkaktar i vdekjes së 4 milionë njerëzve në vit, prandaj vizitojeni mjekun tuaj dhe kërkoni që të bëni matjen e nivelit të kolesterolit në gjak dhe IPT.

Mjeku do ju këshillojë se si ta zvogëloni rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare dhe si ta përmirësoni shëndetin tuaj!