Tema: Koha po mbaron!

Me ndryshimet në botë që ndodhën si rezultat i pandemisë me COVID-19, u ndërlikua ndjekja dhe trajtimi i shumë sëmundjeve. Tuberkulozi, si një sëmundje infektive që manifeston simptoma të ngjashme si ato të infeksionit me COVID-19, dallon nga kjo sëmundje sepse ka një periudhë më të gjatë të inkubacionit dhe simptomat e tij zhvillohen më ngadalë. Për fat të mirë sot ekziston një vaksinë efikase kundër tuberkulozit, e cila tashmë një kohë të gjatë po përdoret tek popullata. Por, edhe përkundër parandalimit të mirë, tuberkulozi ende nuk është çrrënjosur dhe paraqet një nga problemet të cilat shfaqen në të gjitha sistemet shëndetësore, pra edhe tek ne.

Data 24 mars e shënon ditën në vitin 1882, kur dr. Robert Koh publikoi se e ka zbuluar bakterin që e shkakton tuberkulozin, me çka ka hapur rrugën drejt diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.

Tuberkulozi paraqet një sëmundje infektive që përhapet përmes spërklave e të cilën e shkakton bakteri Mycobacterium tuberculosis. Për të shkaktuar infeksion mjaftojnë vetëm disa mikroorganizma. Edhe pse është një sëmundje që mund të parandalohet, brenda një viti në botë nga tuberkulozi sëmuren rreth 10 miliona njerëz, ndërsa rreth 1,5 milionë e humbasin jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje. Mendohet se rreth ¼ e popullatës botërore ka tuberkuloz latent, që do të thotë se secili nga këto persona mund të zhvillojë sëmundje të tuberkulozit. Vitin e kaluar këto numra pësuan një rritje si pasojë e pranisë së COVID 19 që ndikoi në humbjen e shumë njerëzve që njëkohësisht vuanin edhe nga tuberkulozi, e kjo për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore.

Tema e Ditës botërore të luftës kundër tuberkulozit për këtë vit është ,,Koha po mbaron’’, me çka theksohet se po mbaron afati kohor brenda të cilit mund të veprohet me fushatat globale për tuberkulozin, për t’i dhënë fund kësaj sëmundjeje. Kjo ka një rëndësi tejet të madhe sepse një pjesë e madhe e resurseve tona po përdoren për të luftuar COVID-19, dhe në këtë mënyrë po largohet vëmendja nga sëmundjet si tuberkulozi.

Për këtë arsye, Në Ditën e luftës kundër tuberkulozit, OBSH bën thirrje për më shumë aktivitete në fronte të ndryshme, dhe atë:

-Vendet e botës t’i zbatojnë dhjetë rekomandimet prioritare të propozuara në raportin vjetor për luftën kundër tuberkulozit

-Kontrollet dhe trajtimet mjekësore të domosdoshme të vazhdojnë të realizohen pa ndërprerje edhe krahas pandemisë me COVID-19

-Skriningjet sistemike të përmirësohen dhe të mbeten aktive që të mund t’u vihet në ndihmë të gjithë pacientëve

-Punë e përbashkët e sektorit qeveritar dhe civil për t’i dhënë fund tuberklulozit

Përhapja globale e tuberkulozit

Kjo sëmundje ka një përhapje të gjerë, pra e gjejmë në të gjitha viset e botës. Të dhënat statistikore nga viti 2018 tregojnë se numër më të madh të të prekurve nga kjo sëmundje ka pasur në Azinë juglindore– 44%, ndërsa në vendin e dytë ka qenë Afrika me rreth 24% të të sëmurëve.

Gjendja në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Me kalimin e viteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut vihet re një rënie e prevalencës së tuberkulozit, që do të thotë se fushatat qeveritare kundër kësaj sëmundjeje kanë dhënë rezultat. Nga 20,8 në 100 000 banorë ose 428 raste në vitin 2013, në vitin 2019 në Republikën e Maqedonisë së Veriut është regjistruar një prevalencë e tuberkulozit aktiv prej 10,4 në 100 000 banorë ose 215 raste. Të dhënat e prezantuara në diagramin në vazhdim tregojnë për një rënie të dukshme të rasteve nga viti 2010, por në vitet e fundit kjo rënie ka stagnuar.

 

Grafik 1 Svetski den na TB ALB

Sa i përket incidencës në RMV në vitin 2019 janë regjistruar 9,6 në 100 000 banorë ose 161 raste të reja, krahasuar me vitin  2013 kur incidenca ka qenë 15,7 në 100 000 banorë ose 323 raste të reja me tuberkuloz. Тendenca që ekziston është pothuajse e ngjashme si edhe tek prevalenca, me një rënie të dukshme në 10 vitet e fundit, por një stagnim të vogël në 3 vitet e fundit.

 

Grafik 2 Svetski den na TB ALB

Edhe pse kemi një përmirësim të gjendjes së përgjithshme me tuberkulozin në vendin tonë, nuk duhet të ndërpriten angazhimet për çrrënjosjen e kësaj sëmundjeje. Veprimet shtetërore duhet të vazhdojnë të zbatohen dhe duhet punuar për përmirësimin e tyre.  Të gjitha institucionet kompetente duhet ta realizojnë rolin e tyre në luftën kundër tuberkulozit me qëllim ndërprerjen e përhapjes së saj.  Këtë vit do nevojitet edhe një angazhim shtesë për shkak të situatës momentale në botë dhe luftës kundër COVID-19 që po zhvillohet në të gjitha frontet.  Por kjo nuk duhet të ndikojë në betejat ekzistuese kundër sëmundjeve infktive dhe jo infektive. Të gjitha gjendjet kërkojnë një kujdes të veçantë, prandaj t’i ndjekim rekomandimet e OBSH-së dhe ta realizojmë pjesën tonë  në luftën kundër tuberkulozit, që më në fund të mund ta çrrënjosim këtë sëmundje.

Përgatiti: Njësia për promovim shëndetësor dhe ndjekje të sëmundjeve