PASOJAT E SËMUNDJEVE ORALE TË PATRAJTUARA JANË TË RËNDA DHE SFILITËSE

 

Shëndeti oral si pjesë përbërëse e shëndetit të përgjithshëm e mbështet individin në arritjen e potencialit të tij, duke i mundësuar në këtë mënyrë të kontribuojë dhe të marrë pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë. Duke filluar nga fëmijëria e hershme deri në pleqëri ai gjatë gjithë jetës ndryshon.

Edhe pse shpesh nuk njihen publikisht si të tilla, sëmundjet orale janë një problem i madh i shëndetit publik për vendet dhe popullatat në mbarë botën. Ato shfaqen tek një pjesë e madhe e popullsisë dhe kanë etiologjinë dhe ngarkesën e tyre si dhe mundësi të ndryshme për parandalim, kujdes dhe rehabilitim. Sëmundjet orale të patrajtuara prekin pothuajse gjysmën e popullsisë së botës.

Kariesi i patrajtuar i dhëmbëve të qumështit (primar) dhe i dhëmbëve të përhershëm, sëmundja e rëndë periodontale, mungesa e dhëmbëve (humbja totale e dhëmbëve) dhe kanceri i gojës dhe i zgavrës së gojës bëjnë pjesë në sëmundjet dhe gjendjet orale më të përhapura (sëmundjet e gojës). Secila prej këtyre sëmundjeve është një problem i rëndësishëm i shëndetit publik në nivel global, rajonal dhe kombëtar dhe cënon shëndetin e individëve dhe popullatave.

Në 30 vitet e fundit numri global i rasteve është rritur për 1 miliardë, që është një tregues i qartë se një pjesë e madhe e popullsisë nuk ka qasje në kujdes adekuat për shëndetin oral, që përfshin parandalimin, mbrojtjen nga rreziku dhe shërbimet për restaurim dhe rehabilitim.

Pasojat e sëmundjes të patrajtuar orale, simptomat fizike, kufizimet funksionale dhe efektet e dëmshme në mirëqenien emocionale, mendore dhe sociale, janë të rënda dhe sfilitëse.

Shëndeti oral luan një rol të madh në mirëqenien dhe vetëbesimin e një individi, ndërsa sëmundjet orale ndikojnë fuqishëm në cilësinë e jetës, produktivitetin dhe aftësinë për të punuar si dhe në pjesëmarrjen e tij sociale.

Shfaqja e sëmundjeve orale është karakteristikë më e shpeshtë tek grupet e pafavorizuara dhe të margjinalizuara të popullsisë ku ka pabarazi socio-ekonomike të theksuara dhe të vazhdueshme.

Sipas Raportit global për gjendjen me shëndetin oral: “Drejt mbulimit shëndetësor universal për shëndetin oral deri në vitin 2030” (Global oral health status report: Тowards universal health coverage for oral health by 2030), statusi i shëndetit oral global është alarmant dhe kërkon veprim urgjent nga të gjithë aktorët në nivel global, rajonal, kombëtar dhe lokal.

Pjesa më e madhe e sëmundjeve orale mund të parandalohen me ndihmën e vetëkujdesit ose masave të thjeshta, të bazuara në fakte dhe me kosto efektive për të gjithë popullatën, përfshirë këtu veprimin mbi determinantat më të gjera sociale, ekonomike dhe politike të shëndetit.

Përveç sëmundjeve kryesore më të zakonshme (kariesi i dhëmbëve të qumështit dhe të përhershëm, sëmundja e rëndë periodontale, mungesa e dhëmbëve dhe kanceri i buzëve dhe zgavrës me gojë), sëmundjet e gojës si një grup i madh sëmundjesh dhe gjendjesh përfshijnë edhe shumë sëmundje dhe gjendje të tjera që janë relevante për shëndetin oral.

Këtu bëjnë pjesë :

– manifestimet orale të sëmundjeve sistemike (sëmundjet metabolike, alergjike dhe imunologjike, përfshirë edhe infeksionin me HIV);

– sëmundjet e mukozës së gojës;

– erozioni dhe thërmimi i dhëmbëve;

– efektet orale të abuzimit me substancat;

– noma;

– malformacionet kongjenitale të dhëmbëve dhe smaltit;

– infeksionet virale, fungale dhe bakteriale;

– traumat (përfshirë lëndimet fizike dhe kimike) e dhëmbëve, kockave të nofullës dhe strukturave fqinje maksilofaciale;

– cistet dhe tumoret me origjinë odontogjene;

– sëmundjet e gjëndrave të pështymës; dhe

– çrregullimet në zhvillimin dhe rritjen e strukturave orale.

Në vitin 2019, rreth 3.5 miliardë njerëz në mbarë botën kanë qenë të prekur nga sëmundjet orale, duke i bërë ata gjendjet më të përhapura në mesin e më shumë se 300 sëmundjeve të tjera që prekin njerëzimin. Nga sëmundjet më të përhapura të gojës, vendin e parë e zë kariesi i patrajtuar i dhëmbëve të përhershëm me rreth 2 miliardë raste. Ai pasohet nga sëmundja periodontale me rreth 1 miliard raste, më pas kariesi dentar i patrajtuar me rreth 510 milionë raste dhe edentulizmi me 350 milionë raste (të gjitha në vitin 2019). Kur merret parasysh numri i përgjithshëm i sëmundjeve kryesore orale, në nivel global ato janë rreth 1 miliardë më të larta se numri i rasteve të pesë sëmundjeve joinfektive kryesore (çrregullimet mendore, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti mellitus, sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe kanceri). (Global burden of disease 2019 (GBD 2019) results [online database]. Seattle: Institute of Health Metrics and Evaluation (IHME); 2020 (https://vizhub.healthdata.org /gbd-results/,  accessed 14 November 2022))

Tre të katërtat e njerëzve të prekur nga sëmundjet orale jetojnë në vendet me të ardhura më të ulëta dhe mesatarisht të larta, e më pas vijojnë 16% në vendet me të ardhura të larta dhe 9% në vendet me të ardhura të ulëta.

Shëndeti oral dhe ai i përgjithshëm ndajnë rrugë të përbashkëta shkak-pasojë dhe ndikojnë mes veti në një mënyrë të dyanshme. Në dekadat e fundit, shumë studime kanë bërë vlerësimin e lidhshmërisë së mundshme midis shëndetit të dobët oral dhe një sërë sëmundjesh kronike. (Seitz MW, Listl S, Bartols A, Schubert I, Blaschke K, Haux C et al. Current knowledge on correlations between highly prevalent dental conditions and chronic diseases: an umbrella review. Prev Chronic Dis. 2019;16:E132. doi:10.5888/ pcd16.180641.)

Dëshmi më e fuqishme dhe më konzistente për këtë lidhshmëri ka mes sëmundjes së rëndë periodontale dhe diabetit mellitus. Gjithashtu, ndërhyrjet klinike për trajtimin e sëmundjes së rëndë periodontale kanë treguar përmirësime në statusin e diabetit. (Gooch BF, Griffin SO, Gray SK, Kohn WG, Rozier RG, Siegal M et al. Preventing dental caries through school-based sealant programs: updated recommendations and reviews of evidence. J Am Dent Assoc. 2009;140(11):1356–65.doi:10.14219/jada.archive.2009.0070.;

D’Aiuto F, Gable D, Syed Z, Allen Y, Wanyonyi W, White S et al. Evidence summary: the relationship between oral diseases and diabetes. Br Dent J. 2017;222(12):944–8. doi:10.1038/sj.bdj.2017.544.) Ekzistojnë dëshmi për një lidhshmëri mes sëmundjes së rëndë periodontale dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe, në një masë më të vogël, sëmundjeve cerebrovaskulare dhe sëmundjes kronike obstruktive pulmonare. (Batty GD, Jung KJ, Mok Y, Lee SJ, Back JH, Lee S et al.Oral health and later coronary heart disease:cohort study of one million people. Eur J Prev Cardiol.2018;25(6):598–605.doi:10.1177/ 2047487318759112.;

Manger D,Walshaw M,Fitzgerald R,Doughty J,Wanyonyi KL,White S et al.Evidence summary:the relationship between oral health and pulmonary disease.Br Dent J.2017;222(7):527–33. doi:10.1038/sj.bdj.2017.315.;

Gaeckle NT, Pragman AA, Pendleton KM, Baldomero AK, Criner GJ. The oral-lung axis: the impact of oral health on lung health. Respir Care. 2020;65(8):1211–20. doi:10.4187/respcare.07332.)

Është gjetur lidhshmëri mes kariesit dhe humbjes të dhëmbëve dhe gjendjeve të tjera shëndetësore,si rënia aftësive kognitive, disa lloje të kancerit dhe pneumonisë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se natyra e lidhshmërisë mes shëndetit të dobët oral dhe sëmundjeve të tjera kronike nuk është domosdoshmërisht shkakësore dhe shpesh është e dobët në krahasim me faktorët e tjerë kryesorë të rrezikut. Për t’i kuptuar plotësisht rrugët potenciale të përbashkëta mes sëmundjes orale, shëndetit të dobët oral dhe sëmundjeve dhe gjendjeve të tjera të përgjithshme, koekzistimit të më shumë gjendjeve shëndetësore dhe ndikimit të ndërhyrjeve të shëndetit oral në shëndetin e përgjithshëm nevojiten më shumë kërkime me cilësi të lartë. (Watt RG,Serban S. Multimorbidity:a challenge and opportunity for the dental profession.Br Dent J.2020;229(5):282–6.doi:10.1038/s41415-020-2056-y.)

Kur bëhet fjalë për faktorët e rrezikut, në përgjithësi pranohet se sëmundjet dhe gjendjet joinfektive kanë të përbashkëta një sërë faktorësh kryesorë të rrezikut. (Sheiham A, Watt RG. The common risk factor approach: a rational basis for promoting oral health. Community Dent Oral Epidemiol. 2000;28(6):399–406. doi:10.1034/j.1600-0528.2000.028006399.x.) Për shembull, përdorimi i duhanit është një faktor rreziku kryesor për një sërë gjendjesh, si sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e frymëmarrjes dhe shumë lloje kanceri, por edhe për sëmundjet e rënda periodontale dhe kancerin e buzëve dhe zgavrës me gojë. Qasja ndaj faktorëve të përbashkët të rrezikut është baza për ndërmarrjen e masave parandaluese për sëmundjet orale të zbatuara në axhendën më të gjerë për SJI. Kjo mund të shihet veçanërisht në lidhje me veprimin e integruar për ta përmirësuar ushqyerjen e dobët, për ta trajtuar përdorimin e duhanit dhe për ta reduktuar konsumin e dëmshëm të alkoolit.

Konsumi i lartë i sheqerit, të gjitha formave të duhanit dhe përdorimi i dëmshëm i alkoolit janë sfidat kryesore të shëndetit publik në të gjithë spektrin e gjerë të sëmundjeve joinfektive. Ata janë gjithashtu faktorë kryesorë të modifikuar për sëmundjet orale.

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve