“NJERËZ MË AKTIV PËR NJË BOTË MË TË SHËNDETSHME”
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) inkurajon një mënyrë jetese të shëndetshme dhe aktivitet të rregullt fizik si një nga parakushtet më të rëndësishme për një shëndet të mirë.
Për këtë qëllim, në vitin 2003 nisi një iniciativë për zbatimin e aktiviteteve për promovimin e aktivitetit të rregullt fizik më 10 maj në nivel kombëtar, me qëllim nxitjen e çdo individi për të lëvizur për një shëndet më të mirë global!
Kjo ditë njihet si Dita Ndërkombëtare e Aktivitetit Fizik, pra “Dita e lëvizjes për shëndetin”. Tashmë dihet se aktiviteti fizik ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës, trupit dhe trurit tonë, dhe se kontribuon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit, redukton simptomat e depresionit dhe ankthit, ndërkohë që siguron rritje dhe zhvillim të shëndetshëm tek fëmijët dhe të rinjtë. Megjithatë, 1 në 4 të rritur nuk e përmbush nivelin e rekomanduar të aktivitetit fizik. Përveç kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se nëse njerëzit praktikojnë aktivitet fizik të rregullt mund të parandalohen rreth 5 milionë vdekje në vit.
Në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktivitetet që organizohen me këtë rast për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të individit duhet të kryhen kudo dhe të jenë me intensitet mesatar deri në të lartë.
Sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë ditës është e nevojshme të bëhen të paktën:
– 180 minuta aktivitet fizik me intensitet të ndryshëm – për fëmijët deri në gjashtë vjet,
– 60 minuta aktivitet fizik mesatar deri në intensiv – për fëmijët dhe të rinjtë e moshës 6 deri në 18 vjet, dhe
– 30 minuta aktivitet fizik mesatar deri në intensiv – për të rriturit.
Lloji i aktiviteteve (shëtitje, not, vrap, ushtrime), shpeshtësia dhe kohëzgjatja e tyre varen nga gjinia, mosha, gjendja shëndetësore dhe sidomos nga kondicioni fizik.
Duke qenë se lëvizja dhe kryerja e aktiviteteve të përditshme jashtë shtëpisë apo vendit të punës më parë ka qenë e kufizuar për shkak të pandemisë së COVID-19, rekomandohet që kohëzgjatja dhe intensiteti i aktivitetit fizik të rritet gradualisht për çdo ditë. Kur bëni sporte rekreative, është e rëndësishme të mbani një distancë prej të paktën dy metra nga të tjerët. Prandaj, këshillohet të zgjidhni aktivitete që lejojnë një person të jetë fizikisht aktiv në shoqëri, duke ruajtur në të njëjtën kohë distancën fizike të rekomanduar (çiklizëm, patina, skateboard, ecje e shpejtë, vrap, joga, badminton, tenis…).
Qëllimet kryesore të aktiviteteve kombëtare dhe globale në ditën e aktivitetit fizik (lëvizjes) për shëndet janë:
– ndërgjegjësimi i publikut për përfitimet e aktivitetit fizik në parandalimin e sëmundjeve kronike jo infektive;
– promovimi i përfitimeve të aktivitetit fizik dhe theksimi i praktikave të mira;
– rritja e zbatimit të aktiviteteve fizike në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat (koha e lirë, transport, punë) dhe mjediset (shkollë, komunitet, shtëpi, vende pune);
– promovimi i një stili të shëndetshëm të jetesës dhe zgjidhja e problemeve shëndetësore nëpërmjet sporteve dhe aktiviteteve të tjera fizike, reduktim i pirjes së duhanit, ushqim i shëndetshëm, reduktim i dhunës, stresit dhe izolimit social.
“KALOJE KOHËN BUKUR! BËHU AKTIV!”
Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i ndjekjes së sëmundjeve